KEK-u: Investimet nuk duhet të përdoren për interesa politike
Korporata Energjetike e Kosovës tha se investimet strategjike nuk duhet të përdoren si instrument për interesa politike, duke kundërshtuar paraqitjen e dy projekteve në Termocentralin Kosova B si një investim…

Korporata Energjetike e Kosovës tha se investimet strategjike nuk duhet të përdoren si instrument për interesa politike, duke kundërshtuar paraqitjen e dy projekteve në Termocentralin Kosova B si një investim i vetëm i saj.
“KEK-u nuk është dhe nuk duhet të bëhet arenë e përplasjeve politike”, thuhet në reagimin e Korporatës ndaj deklarimeve dhe kritikave politike për këto investime.
Sipas KEK-ut, projekti për reduktimin e emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit në njësitë B1 dhe B2 financohet nga Bashkimi Evropian përmes fondeve IPA. BE-ja është autoriteti kontraktues dhe menaxhon kontratën, ndërsa KEK-u është përfitues.
Punimet në B1 kanë nisur më 10 prill 2026. Korporata sqaron se afati kontraktual për ndezjen e kaldajës për prodhimin e avullit është 25 nëntori 2026.
Modernizimi i turbinave, ndërkaq, financohet dhe menaxhohet nga vetë KEK-u. Sipas saj, punimet dhe komisionimi i ftohtë në B1 përfunduan më 2 nëntor, ndërsa testimet përfundimtare në kushte operimi do të kryhen pas përfundimit të projektit mjedisor dhe rikthimit të njësisë në funksion.
Korporata kundërshtoi edhe atribuimin e ndërprerjeve nga defektet apo punimet në rrjetin e shpërndarjes, duke theksuar se është prodhues i energjisë dhe nuk e operon këtë rrjet që nga viti 2013.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


