Hoti kundërshton sërish kandidaturën e Bekim Sejdiut: Nuk përfaqëson parimet dhe pritjet e elektoratit të LDK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur kundërshtimin ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, duke thënë se ajo nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së…

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur kundërshtimin ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, duke thënë se ajo nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.
Në një reagim për A2 CNN, Hoti tha se mënyra e arritjes së zgjidhjes krijon përshtypjen se LDK-ja ka penguar kandidatura të tjera politike për t’i hapur rrugë një kandidature që, sipas tij, mbetet politike.
Ai kërkoi që LDK-ja të ketë qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm në procesin për zgjedhjen e presidentit.
Hoti theksoi se një kandidaturë nuk mund të mbështetet vetëm për hir të marrëveshjes politike, nëse nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të partisë.
Deklarata e tij vjen në kohën kur kandidatura e Sejdiut, e dalë nga marrëveshja ndërmjet drejtuesve të LVV-së dhe LDK-së, po përballet me kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së dhe me paqartësi për sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend.