Haziri: 99 votat për deklaratën nuk mjaftojnë pa ligjin
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, tha se deklarata e miratuar nga 99 deputetë për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk i përmbush kërkesat e protestuesve pa…

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, tha se deklarata e miratuar nga 99 deputetë për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk i përmbush kërkesat e protestuesve pa ndryshime ligjore. Në natën e 14-të të protestës në Prishtinë, ai i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë ta procedojnë në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Kjo deklaratë, pa ligjin prapa saj, është fiks me na ushqy me lugë të thatë”, tha Haziri para protestuesve në sheshin “Skënderbeu”. Ai u kërkoi deputetëve që mbështetjen për deklaratën ta dëshmojnë edhe me votë për projektligjin, nëse ai arrin në Kuvend.
Haziri sqaroi se organizatorët ende nuk po e akuzojnë Qeverinë për bllokimin e nismës. “Ne po presim. Nuk kemi dhënë verdikt. Jemi duke ju matë”, u shpreh ai, duke e vendosur përgjegjësinë për hapin e radhës te ekzekutivi.
Ai tha se durimi i protestuesve po soset dhe paralajmëroi pjesëmarrje të madhe në protestën e 1 tetorit në kryeqytet. Protestat kanë nisur më 16 shtator, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


