Haxhiu pret marrëveshje LVV–LDK: “Java që vjen të jetë vendimtare”
Albulena Haxhiu tha se është optimiste për rezultate pozitive nga bisedimet LVV–LDK dhe shpreson që java e ardhshme të jetë vendimtare.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka shprehur optimizëm se bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të sjellin rezultate pozitive.
“Jam optimiste që do të kemi rezultate pozitive dhe presim që kjo të konfirmohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht nga kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Albin Kurti dhe në anën tjetër kryetari i LDK-së, zoti Lumir Abdixhiku”, deklaroi Haxhiu.
Ajo i bëri komentet pas homazheve te Memoriali i Personave të Zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë. Haxhiu tha se arritja e një marrëveshjeje është e rëndësishme për vazhdimin e reformave dhe për obligimet e Kosovës në proceset euroatlantike.
“Uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecin përpara, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi, reformat që duhet të vazhdojnë, por edhe obligimet që kemi, sidomos në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, në NATO, por edhe në shumë mekanizma të tjerë. Prandaj, le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për për procesin e ardhshëm”, tha ajo.
Deklarata vjen pas takimit të mbrëmshëm ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut në Kuvend. Pas takimit nuk u njoftua ndonjë marrëveshje përfundimtare, ndërsa palët thanë se publiku do të informohet kur të ketë rezultate.
Fotomontazh / Pamje e krijuar me IA. Imazhi është ilustrues dhe nuk paraqet vendin apo momentin real të deklaratës.
Burimi: Gazeta Express; Reporteri.