Marrëveshje 3 miliardë e 35 milionë euro: Izraeli do t’i ndërtojë Greqisë “Mburojën e Akilit”
Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare prej 3 miliardë e 35 milionë eurosh për ndërtimin e sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore “Mburoja e Akilit”. Marrëveshja u nënshkrua…

Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare prej 3 miliardë e 35 milionë eurosh për ndërtimin e sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore “Mburoja e Akilit”. Marrëveshja u nënshkrua më 31 gusht në Tel Aviv dhe parashikon nisjen e menjëhershme të zbatimit.
Sistemi është projektuar për mbrojtje kundër avionëve, raketave balistike dhe dronëve. Ai do të ketë një strukturë të përbashkët komandimi dhe kontrolli, përmes së cilës do të koordinohen shtresat e ndryshme të mbrojtjes.
Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, rrjeti do të mbështetet në sistemet “David’s Sling” dhe SPYDER të kompanisë Rafael, si dhe në sistemin BARAK MX të Israel Aerospace Industries. Marrëveshja përfshin gjithashtu radarë dhe një rrjet kombëtar komandimi.
Dokumenti u nënshkrua për palën greke nga drejtori i Përgjithshëm i Investimeve dhe Armatimeve të Mbrojtjes, gjeneralmajor Ioannis Bouras. Për palën izraelite nënshkroi drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Amir Baram.
Ministria greke e Mbrojtjes bëri të ditur se në zbatimin e programit janë përfshirë tashmë 19 kompani greke. Pjesëmarrja e industrisë greke pritet të kalojë 25 për qind të vlerës së përgjithshme, ose rreth 750 milionë euro, ndërsa parashikohet edhe krijimi i kapaciteteve prodhuese në Greqi.
Autoritetet izraelite e cilësuan marrëveshjen si kontratën më të madhe të eksportit të mbrojtjes në historinë e marrëdhënieve Izrael–Greqi. Krahas furnizimit me sisteme, marrëveshja parashikon transferim njohurish dhe zgjerim të bashkëpunimit ndërmjet industrive të mbrojtjes të dy vendeve.
Burimet: Ministria e Mbrojtjes e Greqisë, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit dhe Associated Press.