DHTIK i kërkon Qeverisë zhbllokimin e pronës publike: Tri kompani ende pa nisur aktivitetin
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) i ka kërkuar Qeverisë ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave të shfrytëzimit të pronës publike dhe përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën…

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) i ka kërkuar Qeverisë ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave të shfrytëzimit të pronës publike dhe përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike. Në komunikatën e saj, Dhoma thotë se i është drejtuar kryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Sipas DHTIK-së, tri kompani kanë marrë miratimin e Qeverisë për shfrytëzimin e pronës publike, por ende nuk kanë mundur të fillojnë aktivitetin. Dhoma thotë se Agjencia e Pyjeve të Kosovës i ka kushtëzuar kontratat me përfundimin e procedurës për ndryshimin e destinimit të tokës. Mosfinalizimi i këtij procesi, sipas saj, ka penguar edhe marrjen e lejeve pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
“Janë me qindra kërkesa të deponuara prej kohësh në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, të cilat vazhdojnë të mos përcillen në Zyrën për Administrimin e Pronës Publike për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë. DHTIK vlerëson se procedurat mund ta lënë një biznes në pritje për pothuajse një vit dhe se vonesat po dëmtojnë investimet dhe punësimin.
Dhoma kërkon shkurtimin e afateve, reduktimin e numrit të institucioneve të përfshira dhe një mekanizëm koordinimi që përcakton përgjegjësitë e secilit institucion për trajtimin e kërkesave.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


