Celibashi tregon çfarë pengon zgjerimin e votimit elektronik
Mungesa e konsensusit politik pengon zgjerimin e votimit elektronik për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, tha kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, sipas të cilit PD-ja kundërshton shtrirjen e mëtejshme…

Mungesa e konsensusit politik pengon zgjerimin e votimit elektronik për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, tha kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, sipas të cilit PD-ja kundërshton shtrirjen e mëtejshme të këtij procesi.
Gjatë raportimit në komisionin parlamentar për projektbuxhetin 2027, Celibashi sqaroi se KQZ-ja ka kapacitete për votim dhe numërim elektronik në maksimumi rreth 450 qendra votimi. Bashkitë ku mund të zbatohet kjo mënyrë votimi mbeten për t’u përcaktuar.
Ai tha se institucioni nuk ka detyrim ligjor për ta zgjeruar procesin dhe nuk do të angazhojë shpenzime shtesë pa marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës. Celibashi paralajmëroi se vonesat po ngushtojnë edhe mundësitë teknike të realizimit, pavarësisht një konsensusi të mundshëm më vonë.
Për organizimin e zgjedhjeve janë parashikuar 2,5 miliardë lekë si kontingjencë e veçantë, jashtë buxhetit institucional të KQZ-së. Sipas Celibashit, shuma përputhet me nevojat e parashikuara dhe fondet do të lëvrohen pas 1 janarit, pas miratimit të ligjit të buxhetit.
Projektbuxheti parashikon veçmas 454,25 milionë lekë për funksionimin e KQZ-së.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


