Arrestohet Rade Basta, dyshime për donacione të pajustifikuara
Ish-ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, është arrestuar nën dyshimin se i ka shkaktuar ndërmarrjes publike “Beogradske Elektrane” dëm prej dhjetëra milionë dinarësh përmes donacioneve të pajustifikuara, sipas raportimeve…

Ish-ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, është arrestuar nën dyshimin se i ka shkaktuar ndërmarrjes publike “Beogradske Elektrane” dëm prej dhjetëra milionë dinarësh përmes donacioneve të pajustifikuara, sipas raportimeve të mediave serbe.
Arrestimi është kryer të mërkurën nga Njësia për Luftën kundër Korrupsionit, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd. Dyshimet lidhen me periudhën kur Basta drejtonte ndërmarrjen që administron ngrohjen qendrore të kryeqytetit serb.
Sipas këtyre raportimeve, fondet ishin miratuar për organizata sportive, përfshirë klube futbolli, basketbolli dhe një klub kalërimi. Hetimi po shqyrton mënyrën e miratimit dhe shpërndarjes së parave.
RTS ka transmetuar informacione jozyrtare se në të njëjtën çështje po shoqërohen edhe persona të tjerë. Përgjegjësia penale e të përfshirëve mbetet objekt hetimi.
Basta ishte ministër i Ekonomisë nga tetori 2022 deri në vitin 2023, si përfaqësues i partisë “Serbia e Bashkuar”. Shkarkimi i tij pasoi deklaratat për nevojën që Serbia të mbante qëndrim mbi sanksionet ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës. Pas largimit nga qeveria, ai themeloi lëvizjen “Rruga Evropiane”.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


