AGK tregon rrezikun që sheh te Radio Policia
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës paralajmëron se Radio Policia mund të keqpërdoret për përhapjen e narrativave partiake, duke e lidhur këtë rrezik me drejtimin e sektorit të sigurisë nga ministra…

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës paralajmëron se Radio Policia mund të keqpërdoret për përhapjen e narrativave partiake, duke e lidhur këtë rrezik me drejtimin e sektorit të sigurisë nga ministra dhe zëvendësministra të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në reagimin publik, AGK e cilëson alarmues vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave për licencimin e radios si media shtetërore, në formën e transmetimit eksperimental. Sipas asociacionit, një radio e drejtuar nga Policia rrezikon t’i përcjellë publikut informacione të njëanshme, pa shqyrtimin kritik të mediave.
“Gazetarët dhe mediat duhet të kenë mundësi të bëjnë pyetje, të sfidojnë qëndrimet e Policisë dhe ta mbajnë atë përgjegjëse për punën e saj, përmes kanaleve të hapura dhe të pavarura të komunikimit”, thuhet në reagim.
AGK pretendon gjithashtu se anëtarët e KPM-së janë përzgjedhur përmes një procesi të komprometuar, ku LVV-ja kishte paracaktuar kandidatët e preferuar. Asociacioni e konsideron licencimin vazhdimësi të një qasjeje që, sipas tij, favorizon pushtetin në dëm të informimit në interes publik.
AGK shpreh shpresën që vendimi të kundërshtohet përmes rrugëve ligjore dhe që radioja të mos bëhet funksionale. Ai i bën thirrje KPM-së të vendosë interesin e qytetarëve përpara interesave partiake apo qeveritare, ndërsa thekson se e çmon bashkëpunimin tradicional me Policinë.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


