AGK: Aktakuza për Zveçanin përfshin edhe sulmet ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur aktakuzën ndaj A.S. për ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan, e cila, sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, përfshin edhe sulmet ndaj gazetarëve…

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur aktakuzën ndaj A.S. për ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan, e cila, sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, përfshin edhe sulmet ndaj gazetarëve atë ditë.
Aktakuza është ngritur për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Sipas Prokurorisë, A.S. akuzohet se në bashkëkryerje ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.
Në komunikatë thuhet se gjatë sulmeve u lënduan disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre rëndë. Prokuroria përmend edhe sulmet ndaj veturave të gazetarëve që po mbulonin ngjarjet.
Sipas të dhënave të AGK-së, gjatë pesë javëve të tensioneve në maj dhe qershor 2023 u shënuan 35 raste sulmesh ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, përfshirë sulme fizike.
Në reagimin e publikuar në Facebook, AGK-ja tha se do të angazhohet që sistemi i drejtësisë t’i mbajë përgjegjës të gjithë kryerësit e sulmeve që penguan punën e gazetarëve.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


