Abrashi: Marrëveshja me LDK-në mbetet valide, duhet takim i ri për zgjidhje
Abrashi kërkon takim të ri LVV–LDK


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se marrëveshja me LDK-në për çështjen e presidentit vazhdon të mbetet valide për partinë e tij, pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.
Abrashi e cilësoi të papritur refuzimin e deputetëve dhe tha se një zhvillim i tillë nuk duhej të ndodhte në këtë fazë, kur partitë po përpiqen të dalin nga bllokada institucionale.
Në një deklaratë për RTV21, ai shprehu shpresën se një takim i ri ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut do ta sqarojë situatën dhe do të mundësojë një zgjidhje që shmang zgjedhjet e reja. Sipas tij, takimi ende nuk është caktuar dhe aktualisht nuk ka hapa konkretë.
“Vazhdimisht ne jemi në kontakt me kolegët tanë të partive tjera”, tha Abrashi, duke folur për përpjekjet për sigurimin e votave të nevojshme për presidentin.
Duke iu përgjigjur kërkesave të PDK-së dhe AAK-së për thirrjen e seancës konstituive, Abrashi përsëriti qëndrimin e LVV-së se procesi nuk mund të vazhdojë pa u zgjidhur më parë çështja e presidentit.