Ulutaş: Prania e KFOR-it në Urën e Ibrit do të ndryshojë vetëm kur ta lejojnë kushtet
Komandanti i KFOR-it thotë se çdo ndryshim i pranisë në Urën e Ibrit do të bazohet në siguri dhe do të koordinohet me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorët relevantë.


Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka thënë se çdo ndryshim nga prania e përhershme e misionit në Urën e Ibrit do të bëhet vetëm kur ta lejojnë kushtet e sigurisë.
Sipas tij, procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorët e tjerë relevantë.
Ulutaş e lidhi këtë çështje me një proces më të gjerë të optimizimit të pranisë së KFOR-it. Në këtë kuadër përfshihet edhe roli i Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.
Ai theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut, në Mitrovicën e Jugut dhe në pjesët e tjera të veriut të Kosovës.
Komandanti i misionit të NATO-s tha gjithashtu se gjatë vlerësimit të situatës merren parasysh shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë.