Politikë

Serbia synoi aneksimin e territorit të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë ishte një përpjekje e mbështetur nga Serbia për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Në…

Serbia synoi aneksimin e territorit të Kosovës
Dëgjo artikullin 3 min

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë ishte një përpjekje e mbështetur nga Serbia për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Në akademinë përkujtimore kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, Kurti tha se veriu i vendit për vite të tëra ishte shndërruar në vatër destabilizimi, krimi të organizuar dhe veprimi të strukturave paralele të dirigjuara nga Beogradi.

Sipas tij, Serbia kishte dështuar ta ruante ndikimin në veri përmes barrikadave, sulmeve ndaj institucioneve, dorëheqjeve kolektive dhe kërcënimeve ushtarake pranë kufirit.

“Serbia e kuptoi se tashmë e ka humbur kontrollin dhe është eliminuar prania dhe aftësia e strukturave të saj brenda territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se pas këtyre dështimeve, Beogradi kishte tentuar të përdorte një metodë hibride të ngjashme me atë të Rusisë, me synim aneksimin e territorit të Kosovës.

“Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë, tri vite më parë, u bë nga një grup terroristësh të mbështetur e financuar, trajnuar dhe instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Millan Radoiçiq”, tha Kurti.

Ai rikujtoi se grupi i armatosur, i pajisur me uniforma taktike dhe armatim ushtarak, sulmoi patrullën e Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosur policin Alban Rashiti.

Kurti kërkoi që Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të dorëzohen dhe të përballen me drejtësinë në Kosovë.

“Tre vite nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, i cili u ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se institucionet nuk do të ndalen derisa të vendoset drejtësia për sulmin dhe vrasjen e Afrim Bunjakut.

“Afrimi, heroi ynë, u doli në ballë terroristëve të këtij agresioni shtetëror dhe sulmi kriminal. Ai u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen”, theksoi Kurti.

Sipas tij, sakrifica e Afrim Bunjakut bëri që të mos ndalej shtrirja e sovranitetit të Kosovës në veri, ndërsa pas neutralizimit të grupit paramilitar nisi funksionimi i plotë i institucioneve shtetërore në atë pjesë të vendit.

Scroll To Top