Rubio: Serbia është e përfshirë në disa çështje që mund të jenë problematike dhe shpërthyese
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë ta thellojnë partneritetin strategjik me Serbinë, pavarësisht çështjeve që ai i cilësoi si “problematike dhe…

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë ta thellojnë partneritetin strategjik me Serbinë, pavarësisht çështjeve që ai i cilësoi si “problematike dhe shpërthyese”.
Duke folur të mërkurën në New York, Rubio tha se administrata e presidentit Donald Trump tashmë ka ndërmarrë hapa për intensifikimin e bashkëpunimit me Beogradin.
Sipas tij, përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit dhe institucioneve të tjera të SHBA-së kanë zhvilluar vizita në Serbi në funksion të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.
“Shpresoj se do të kem mundësi ta vizitoj Serbinë”, deklaroi Rubio.
Ai pranoi se Serbia është e përfshirë në disa çështje që mund të jenë “problematike dhe shpërthyese” dhe që vazhdojnë ta tërheqin vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Megjithatë, Rubio bëri të qartë se Uashingtoni synon ta vazhdojë afrimin me Beogradin.
“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërsa trajtojmë disa nga çështjet e mundshme që mund të shfaqen”, tha sekretari amerikan i Shtetit.
Në muajin korrik, Rubio dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, hapën në Washington raundin e parë të Dialogut Strategjik ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.