“Qeveria duhet ta krijojë një strategji kombëtare, që i përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Luginën, të gjithë shqiptarët dhe diasporën në Amerikë”
# Tasholli në “DPT te Fidani”: Qeveria duhet ta krijojë strategjinë kombëtare për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në Apel Përfaqësuesi i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, ka kërkuar…

# Tasholli në “DPT te Fidani”: Qeveria duhet ta krijojë strategjinë kombëtare për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në Apel
Përfaqësuesi i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës hartimin e një strategjie të gjerë kombëtare për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e Apelit.
Tasholli, gjatë një interviste në emisionin “DPT te Fidani”, tha se reagimi qytetar dhe organizimi i protestave janë përgjegjësi e platformës, ndërsa veprimet konkrete institucionale i takojnë Qeverisë së Kosovës.
“Çka ka me ba shteti, zotëri? ‘Liria Ka Emër’ e bën atë që i takon në aspektin e organizimit qytetar dhe të vetëdijesimit, por ne nuk kemi as ambicie dhe as mundësi për t’i lëvizur gjërat në mënyrë të drejtpërdrejtë. Impakti është i Qeverisë”, deklaroi ai.
Sipas Tashollit, strategjia duhet ta përfshijë Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, si dhe diasporën shqiptare.
“Qeveria duhet ta krijojë një strategji kombëtare, që i përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Luginën, të gjithë shqiptarët dhe diasporën në Amerikë”, tha Tasholli në “DPT te Fidani”.
Ai kërkoi angazhim të diplomacisë politike dhe kulturore, të lobistëve, bizneseve dhe personaliteteve shqiptare në mbështetje të procesit të Apelit.
“Nuk guxojmë të mos e kemi një strategji për t’i mbrojtur në Apel dhe për t’i nxjerrë të pafajshëm. Opsion tjetër nuk ka”, theksoi Tasholli.
Ai deklaroi gjithashtu se protestat dhe aktivitetet e platformës “Liria Ka Emër” synojnë ndërgjegjësimin qytetar dhe ekspozimin e, siç tha ai, anomalive dhe padrejtësive të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.