Politikë

Nait Hasani në DPT te Fidani: Në Hagë nuk u dënua vetëm katërshja – u godit e gjithë UÇK-ja

Nait Hasani ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se përmes tij nuk janë goditur vetëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por…

Nait Hasani në DPT te Fidani: Në Hagë nuk u dënua vetëm katërshja – u godit e gjithë UÇK-ja
Dëgjo artikullin 4 min

Nait Hasani ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se përmes tij nuk janë goditur vetëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por e gjithë struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë në emisionin **DPT te Fidani**, Hasani e kundërshtoi konstatimin se UÇK-ja kishte synuar pavarësinë e Kosovës përmes mjeteve ushtarake, duke thënë se pikërisht për këtë qëllim ishte zhvilluar lufta çlirimtare.

“Gjykatësi thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur për qëllim pavarësinë e Kosovës me mjete ushtarake. Po, natyrisht që e kemi pasur këtë qëllim. Kemi luftuar për ta bërë Kosovën të pavarur. Nëse nuk luftonim, me çka do ta çlironim?”, deklaroi Hasani.

Ai tha se pjesëtarët e UÇK-së i dolën përballë një ushtrie dhe policie serbe të fuqishme e të organizuar, e cila paraprakisht kishte zhvilluar luftëra edhe në Kroaci dhe Bosnjë.

Sipas Hasanit, pas viteve të përpjekjeve paqësore, lufta ishte bërë rruga e vetme për çlirimin e Kosovës.

“Kosova nuk u çlirua me dy gishta dhe as vetëm me fjalë. Për një shekull ishte e shtypur, e torturuar, e vrarë, e masakruar dhe e shpërngulur nga Serbia. Ne zgjodhëm rrugën më të vështirë, por edhe më të drejtë, për ta arritur çlirimin e vendit”, tha ai në **DPT te Fidani**.

Hasani kërkoi që luftëtarët e UÇK-së të nderohen për sakrificën e tyre, duke theksuar se çdo qytetar i Kosovës dhe çdo shqiptar duhet t’i përkulet kontributit të tyre.

“Çdo shqiptar duhet t’ia heqë kapelën ushtarit të UÇK-së për mundin, gjakun dhe sakrificën që e ka bërë për këtë vend, lirinë e të cilit sot e gëzojmë”, u shpreh ai.

Duke folur për procesin në Hagë, Hasani tha se, sipas tij, problemi nuk qëndron te mbrojtja, por te vetë gjykata, të cilën e cilësoi politike.

“Gjykata është krijuar me vendim politik në vitin 2015 dhe, si e tillë, ka marrë vendime politike. Është furnizuar me të dhëna dhe dëshmi të Serbisë, por edhe nga bashkëpunëtorë këtu që janë bërë dëshmitarë të saj”, deklaroi Hasani.

Ai pretendoi se përmes konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” nuk janë goditur vetëm katër ish-krerët e UÇK-së, por e gjithë struktura e luftës çlirimtare.

“Nuk është dënuar Hashim Thaçi vetëm si individ, as Jakupi, Kadria dhe Rexha. Përmes asaj që e quajnë ndërmarrje e përbashkët kriminale, goditen Shtabi i Përgjithshëm, zonat, komandantët, njësitë, ushtarët dhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar UÇK-në”, tha Hasani, duke e paraqitur këtë si interpretimin e tij të aktgjykimit.

Hasani kritikoi edhe institucionet e Kosovës për vonesën në reagim, duke thënë se Kuvendit iu deshën 13 ditë për ta miratuar një deklaratë kundër aktgjykimit.

“Fëmijët e dëshmorëve dhe shqiptarët nga të gjitha trojet e diaspora kanë protestuar, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk arriti të ndërmerrte një veprim. Trembëdhjetë ditë për një deklaratë – kjo është turp për institucionet, Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën”, deklaroi ai.

Në fund, Hasani kërkoi që deklarata e Kuvendit të mos mbetet vetëm një veprim simbolik, por të pasohet me procedimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara.

Sipas tij, fakti që deputetët e mbështetën deklaratën tregon se tashmë e kanë kuptuar se aktgjykimi nuk prek vetëm katër ish-krerët e UÇK-së, por edhe historinë e luftës çlirimtare dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Scroll To Top