Politikë

Mbyllet gjykimi i dytë ndaj Hashim Thaçit

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin që lidhet me administrimin e drejtësisë. Pas përgjigjeve dhe…

Mbyllet gjykimi i dytë ndaj Hashim Thaçit
Dëgjo artikullin 3 min

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin që lidhet me administrimin e drejtësisë.
Pas përgjigjeve dhe komenteve përfundimtare të palëve në seancën e së hënës, gjykatësi Christopher Gosnell e shpalli të mbyllur çështjen ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Gjykimi është mbyllur në përputhje me Rregullën 136 të Rregullores së Dhomave të Specializuara, ndërsa data e shpalljes së aktgjykimit do të bëhet e ditur më vonë. Dhomat e Specializuara
Prokuroria kërkoi gjashtë vjet burgim për Thaçin
Në fjalën përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi që të pesë të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës.
Për Hashim Thaçin, Prokuroria kërkoi dënim me gjashtë vjet burgim. Sipas kërkesës së saj, ky dënim duhet të vuhet ndaras nga çdo dënim eventual që mund t’i shqiptohet në procesin tjetër gjyqësor.
Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun u kërkuan nga tre vjet burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin nëntë muaj burgim.
Ekipet mbrojtëse kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë dhe kanë kërkuar që klientët e tyre të lirohen nga të gjitha akuzat.
Për çfarë akuzohen?
Sipas aktakuzës, ndërmjet 12 prillit dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit, Thaçi pretendohet se u kishte dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë.
Prokuroria pretendon se ai u kishte dhënë udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre dhe se kishte koordinuar tri grupe të ndryshme me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në procesin kryesor.
Akuzat përfshijnë tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Gjykimi në këtë rast kishte filluar më 27 shkurt 2026. Prokuroria e kishte mbyllur paraqitjen e provave më 13 mars, ndërsa procedura e provave përfundoi më 5 gusht. Deklaratat përmbyllëse u zhvilluan nga 10 deri më 14 shtator. Dosja zyrtare e rastit
Nuk është procesi kryesor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Ky rast është i ndarë nga procesi kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në procesin kryesor, shpallja e aktgjykimit është caktuar për 16 shtator 2026.
Ndërkaq, për rastin e administrimit të drejtësisë që u mbyll të hënën, data e verdiktit ende nuk është caktuar.

Scroll To Top