Politikë

Lista Serbe ngre alarmin para 16 shtatorit: Kërkon shtim të KFOR-it dhe EULEX-it në zonat serbe

Lista Serbe ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që ta shtojnë praninë dhe masat e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në zonat e banuara me serbë, në prag të shpalljes së…

Lista Serbe ngre alarmin para 16 shtatorit: Kërkon shtim të KFOR-it dhe EULEX-it në zonat serbe
Dëgjo artikullin 3 min

Lista Serbe ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që ta shtojnë praninë dhe masat e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në zonat e banuara me serbë, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Në komunikatën e lëshuar, kjo parti ka kërkuar veprim të shtuar parandalues nga misionet ndërkombëtare, duke pretenduar se ditët para 16 shtatorit mund të shoqërohen me tensione, provokime apo incidente.
“Lista Serbe kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit”, thuhet në reagim.
Kjo parti ka kërkuar shtimin e pranisë së forcave ndërkombëtare në mjediset e përziera, me theks të veçantë në vendbanimet serbe në jug të lumit Ibër.
Sipas Listës Serbe, prania e shtuar e KFOR-it dhe EULEX-it do të duhej të shërbente për parandalimin e incidenteve të mundshme dhe cenimit të rendit e qetësisë publike.
Në komunikatë i është bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që, brenda kompetencave të tyre, të kërkojnë edhe nga Policia e Kosovës veprim profesional, të përgjegjshëm dhe të paanshëm ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë kombëtare.
Lista Serbe ka vënë theks të veçantë te data 16 shtator, kur pritet shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në të njëjtën kohë, partia u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të ruajnë qetësinë, të tregohen të përmbajtur dhe të mos bien, siç thuhet, “pre e provokimeve eventuale”.
“U bëjmë thirrje popullit serb dhe të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, të përmbajtur dhe të matur”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Lista Serbe ka shprehur pritjen që KFOR-i dhe EULEX-i të veprojnë në kohë dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve, veçanërisht në zonat që ajo i konsideron të ndjeshme dhe me popullsi të përzier.
Komunikata vjen vetëm dy ditë pas Marshit për Liri, në të cilin, sipas organizatorëve, morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Scroll To Top