Kështu e përshkroi Albin Kurti, më 28 tetor, atë që kishte ndodhë para vrasjes së Arlinda Zekajt
Shkruan Dardan Sejdiu Kështu e përshkroi Albin Kurti, më 28 tetor, atë që kishte ndodhë para vrasjes së Arlinda Zekajt “Një zinxhir sistemor lëshimesh.” Kështu e përshkroi Albin Kurti, më…

Shkruan Dardan Sejdiu
Kështu e përshkroi Albin Kurti, më 28 tetor, atë që kishte ndodhë para vrasjes së Arlinda Zekajt
“Një zinxhir sistemor lëshimesh.”
Kështu e përshkroi Albin Kurti, më 28 tetor, atë që kishte ndodhë para vrasjes së Arlinda Zekajt. Jo një gabim. Jo një zyrtar. Një zinxhir. Dhe sistemor.
Dy ditë më vonë, më 30 tetor, Qeveria doli para publikut me atë që kishte gjetë.
Donika Gërvalla tha se nga dokumentacioni krijohet bindja se vrasja e Arlindës “me shumë gjasë mund të ishte parandaluar”. Xhelal Sveçla foli për shkelje serioze në Polici: urdhra mbrojtës të pazbatuar apo të zbatuar me vonesë, kërkesë të shpërfillur për rivlerësim të rrezikut dhe masa të pamjaftueshme për mbrojtjen e saj. Njëmbëdhjetë policë dhe dy prokurore tashmë ishin suspenduar.
Sot Kryeministri e pranoi edhe dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.
Pra, përgjegjësia po shpërndahet gjithandej: te polici, komandanti, drejtori, prokurorja, kryeprokurorja, gjykata, Qendra për Punë Sociale, komuna.
Veç politika po mbetet jashtë skemës.
Kjo është pjesa që nuk po shkon.
Gërvalla sot tha se Ministria e Drejtësisë nuk mund të ndërhyjë në punën e gjykatave dhe prokurorive. Saktë.
Sveçla tha se nuk mendon që dorëheqja e tij do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe se ai është i angazhuar plotësisht në kryerjen e detyrës.
Po kjo është përgjigje për një pyetje krejt tjetër.
Askush serioz nuk po pretendon se ministri i Brendshëm duhej me e marrë telefonin e me i tregu një polici në Pejë çka me bo në rastin e Arlindës. Ligji, me të drejtë, ia heq ministrit menaxhimin operacional të Policisë.
Po i njëjti ligj thotë edhe diçka tjetër: Policia funksionon nën autoritetin e ministrit, Drejtori i Përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt atij për administrimin dhe menaxhimin e Policisë, ndërsa objektivat strategjike përcaktohen në nivelin politik.
Kjo është përgjegjësia politike. Jo pse ministri e bën punën e policit, po pse mban përgjegjësi për sistemin që udhëheq.
Dhe kjo Qeveri e ka kuptu fort mirë këtë lidhje kur rezultatet kanë qenë të mira.
Më 6 shtator 2024, në 25-vjetorin e Policisë, Kurti tha se ishte “krenar e mirënjohës” për arritjet e saj. Sveçla numëroi rezultatet e katër viteve të fundit në goditjen e grupeve kriminale, kontrabandës, drogës, terrorizmit dhe në shtrirjen e sovranitetit në veri. Qeveria theksonte se nga viti 2021 deri më 2024 buxheti i Policisë ishte rritë për mbi 50 milionë euro. Banjska u përmend si dëshmi e profesionalizmit dhe guximit të Policisë.
Dhe krejt me të drejtë.
Politika ka të drejtë me i marrë meritat kur sistemi jep rezultat. Po atëherë duhet me marrë edhe përgjegjësinë kur sistemi dështon.
Nuk mundesh me qenë pronar i suksesit dhe spektator i dështimit.
Nuk mundesh me i numëru sukseset e Policisë si suksese të qeverisjes kur mbron sovranitetin, godet kontrabandën dhe lufton krimin, e kur një grua që ka kërku mbrojtje për muaj të tërë përfundon e vrarë, përgjegjësia politike me u tretë diku mes “kompetencave”, “ndarjes së pushteteve” dhe “hetimeve që po vazhdojnë”.
Arlinda kishte raportu që nga 10 korriku. Më 7 shtator kërkoi urdhër mbrojtës emergjent. Më 17 shtator paralajmëroi Gjykatën për vonesat dhe rrezikun për jetën. Më 20 tetor paralajmëroi përsëri se mund ta vrisnin. Më 23 tetor kryeprokurorja ishte informuar me shkrim për një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje nga njeriu që dy ditë më vonë dyshohet se e vrau.
Këto data e bëjnë retorikën pothuajse të panevojshme.
Kur një grua kalon prej policisë te prokuroria, prej prokurorisë te gjykata, prej gjykatës te Qendra për Punë Sociale, shkruan, ankohet, paralajmëron, kërkon zbatim të vendimeve dhe prapë vritet, problemi nuk mundet me u reduktu te pyetja cili zyrtar e ka humbë një afat apo nuk e ka bo një telefonatë.
Vetë Kryeministri e tha: “Një zinxhir sistemor lëshimesh.”
Një shoqëri që e relativizon dhunën dhe e detyron gruan me dëshmu vazhdimisht se frika e saj është reale, nuk i lë këto bindje jashtë derës së institucioneve. Ato hyjnë brenda me ne. Hyjnë në polici, prokurori, gjykatë, administratë.
Pikërisht këtu fillon politika: jo veç me i menaxhu institucionet siç i ka gjetë para 6 vitesh, po me i ndryshu ato.
Prandaj suspendimet janë të nevojshme. Hetimet janë të nevojshme. Dorëheqja e Drejtorit të Policisë mund të jetë krejt e arsyeshme.
Po nëse krejt kjo përdoret për me thënë se shteti ka reaguar dhe tash përgjegjësit janë gjetë, atëherë kemi kriju vetëm një version elegant të alibisë.
Hiqen disa emra. Emërohen disa të tjerë. Bëhet konferenca. Jepet raporti. E ne kalojmë në temën tjetër. Ndoshta qysh sonte.
Kjo nuk është llogaridhënie politike.
Është menaxhim i krizës.
Pyetja nuk është nëse Xhelal Sveçla apo Donika Gërvalla kanë faj penal për vrasjen e Arlindës. Natyrisht që jo.
Pyetja është shumë ma e pakëndshme:
Nëse as këtu nuk ka përgjegjësi politike, atëherë kur ka?
Kryeministri na e dha vetë formulimin:
“Një zinxhir sistemor lëshimesh.”
Mirë.
Nëse është zinxhir sistemor, mos e këputni te dera e politikës. Hyni mrena.