Politikë

Karrigia që mund ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje partive opozitare dhe deputetëve të Kuvendit që të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke paralajmëruar se një tjetër proces…

Karrigia që mund ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje
Dëgjo artikullin 3 min

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje partive opozitare dhe deputetëve të Kuvendit që të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke paralajmëruar se një tjetër proces zgjedhor do të ishte i pafalshëm.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, Kurti tha se pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së ekzekutivit, çështja e presidentit mbetet pengesa e fundit për funksionalizimin e plotë të institucioneve.
“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje”, deklaroi Kurti.
Ai iu referua marrëveshjes politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Megjithatë, realizimi i kësaj marrëveshjeje është vënë në pikëpyetje pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin vendimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Kurti tha se marrëveshja ishte arritur pas një procesi të vështirë negociues, të autorizuar nga kryesitë e të dyja partive, dhe kërkoi nga deputetët e LDK-së që ta respektojnë atë.
Kryeministri u bëri thirrje edhe liderëve të partive të tjera që të përfshihen në diskutime të hapura, duke thënë se kompromisi politik është i mundshëm dhe se këtë, sipas tij, e dëshmoi konstituimi i Kuvendit.
Ai deklaroi se Qeveria është e gatshme të diskutojë dhe të gjejë një zgjidhje që do t’ia mundësonte vendit zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e së paku 80 deputetëve në sallën e Kuvendit. PDK-ja dhe AAK-ja deri më tani kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut. Radio Evropa e Lirë
Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, Kosova rrezikon të hyjë edhe një herë në zgjedhje të parakohshme.
Thirrja e Kurtit vjen një ditë pas votimit të Qeverisë së re dhe në kohën kur PDK-ja ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e procedurës së konstituimit të Kuvendit, duke paralajmëruar se do ta kontestojë edhe zgjedhjen e Qeverisë.
Përshkrimi i fotografisë: Fotomontazh

Scroll To Top