Isa Mustafa mbështet gjashtë deputetët e LDK-së: Qëndrim i drejtë dhe dinjitoz
Isa Mustafa ka mbështetur gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan votimin e Bekim Sejdiut për president.


Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dalë në mbështetje të gjashtë deputetëve të partisë që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.
Mustafa e cilësoi qëndrimin e tyre të drejtë, legjitim dhe dinjitoz. Ai tha se çështja nuk lidhet me një emër të veçantë, por me parimin që LDK-ja të mos përfshihet në marrëveshje që ai i konsideron jashtëkushtetuese.
Sipas tij, përgjegjësinë kryesore për procesin e ka partia që ka dalë e para në zgjedhje, ndërsa LDK-ja nuk duhet të marrë përgjegjësi për veprime që, siç u shpreh ai, e nënshtrojnë partinë.
Mustafa vlerësoi se një marrëveshje për presidentin do të kishte kuptim vetëm nëse do të përfshinte edhe PDK-në, AAK-në dhe deputetët e subjekteve josërbe, përveç LVV-së dhe LDK-së. Ai kërkoi që fillimisht të ketë pajtueshmëri brenda secilës parti dhe më pas ndërmjet subjekteve politike.
Ai tha gjithashtu se konstituimi i Kuvendit duhet t’i paraprijë çdo marrëveshjeje të tillë dhe kundërshtoi idenë që deputetët të detyrohen të votojnë sipas vendimeve të forumeve partiake.
Gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan kandidaturën e Sejdiut janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri.