Djali i Kadri Veselit rrëfen momentin kur iu takuan sytë në Hagë: “Perdet u hapën, pashë babin tim…”
Një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram. POSTIMI :…

Një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram.
POSTIMI :
Natën e 15 Shtatorit, ja arrita të fle gjumë, por jo të pushoj. Atë natë kisha shkuar të shoh axhallarët e mi, ti përqafoj fort dhe të mundohem tu jap e të marrë forcë e kurajo përballë asaj që na priste nesër. Ne ishim optimist dhe pozitiv, por refuzoja t’ia leja asgjë në dorë rastësisë, doja të ishim të përgaditur për gjithçka, duke konsideruar historinë e popullit tonë, e të individëve si Adem Demaçi, i cili mbajti padrejtësisht 28 vjet burg në burgjet e Jugosllavisë, 1 vit më shumë se Nelson Mandela simbol botëror i lirisë dhe rezistencës.
Një natë më herët i kisha kërkuar hotelit të aranzhoj një taksi që të na dërgonte në drejtim të Gjykatës.
Në mëngjes, gjatë rrugës po shihja jashtë dritares së automjetit makinat e ndryshme me tabela të huaja, por që ishin Shqiptarë tanë. Këtë e tregonin flamujt e UÇK-së, herë të mbështjellë në pjesën e përparme të makinës e herë duke valvitur nga dritaret e hapura. Kaluam ambasadën, logo-ja e UÇK-së e ngjitur në dyert e saj, kaluam parkun në të cilin kishim protestuar vite më parë i cili ishte mbushur me njerëz e me ngjyrat e Ushtrisë Çlirimtare.Arritëm në gjykatë. Nuk e di si u futëm mbrenda nga kallaballëku. Por rreth orës 08:45 veç se kishim zënë vendet në galerinë e publikut. Aty ishin të gjitha familjet, të gjithë në emocione duke pritur që perdet të hapen dhe ti shohim më në fund, më të shtrenjtët tanë.
Kur ora preku 09:00, ajo ishte ora më e gjatë e jetës time. 60 minutat e radhës mu dukeshin si 60 orë, me dukej sikur kalonin dhjetëra orë kur i afrohesha axhës tim, Veselit për ti kërkuar t’ia shoh orën dhe veç 10 minuta kishin kaluar. Në një moment, kërkova ndjesë dhe u largova që të shkoj tek dollapi ku ishte telefoni im, që të kontaktoja edhe njëherë me nënën, të sigurohesha se ata janë mirë, dhe të përgaditur.
Perdet më në fund u hapën, pashë babin tim, duke ngritur sytë drejt galerisë të publikut dalëngadalë duke skanuar se ku jemi ulur, ashtu siç bën gjithmonë në seancat ku kam marrë pjesë.
Sytë na u takuan, e përshëndeta babin me atë shenjë që ai kishte përdorur gjatë fushatave të tij politike. Shenjë që mbase shumica nuk ja dinë kuptimin. Në gjuhën e shenjave, ai simbol do të thotë të dua, babi e pat mësuar këtë nga fëmijët e fshatit SOS, dhe pat vendosur ta përdorë për ti përcjellë një mesazh edhe popullit tonë.
Nuk kishim mundur të flasim gjatë ditëve paraprake, telefonata e caktuar me 15 Shtator, kur unë isha në Hagë kishte dështuar për arsye teknike. Duke njohur babin tim, e dija se gjysma më e madhe e merakut të tij ishte si jemi ne emocionalisht. Nuk kisha mundur ti tregoja atij se jemi të fortë, ndaj mundohesha që përmes shenjave dhe mimikave t’ia kumtoj atë mesazh.
Dënimi u shqiptua, por para se të shqiptohet ai u paralajmërua nga gjykatësi. Përmes rreshtave e kuptova se babin dhe shokët e tij do i dënojnë. Kishte ndodhur ajo që ishim frikësuar.
As une, as familja ime, as familja e axhit Hashim, as ajo e bacës Jakup, e as ajo e axhës Rexhë nuk jemi frikësu nga drejtësia, por nga politika.
Ata burra, prindërit tanë, padyshim se janë të pafajshëm, por në këtë rast sinqerisht mu krijua përshtypja se nuk ishte çështje e gjykimit të fajësisë apo pafajësisë, është çështje e pyetjes:
“Si mund ta justifikojmë një dënim për këta burra?”
Përballë kësaj padrejtësie, ne vazhdojmë të besojmë në botën perëndimore, vazhdojmë të besojmë se Apeli do e korrigjoj këtë vendim kaq të zhytyr me politikë dhe padrejtësi, komplet kundër vlerave që përfaqëson bota e perëndimit.
Një gjë duhet të dihet, nuk ekziston opsioni i dorëzimit, nuk ekziston opsioni i turpërimit, dhe nuk ekziston opsioni i mërzisë e urrejtjes.
Ua kemi borxh atyre fëmijëve të dëshmorëve, që kanë shikuar jashtë dritares si fëmijë duke e pritur rikthimin e prindërve të tyre në shtëpi e që nuk ndodhi asnjëherë.
Ua kemi borxh grave të atyre luftëtarëve që fati u kërkoj të forcohen, të marrin dy rolet e shtëpisë e tu krijojnë fëmijëve të tyre një ambient të shëndoshë për ti rritur.
Ua kemi borxh të zhdukurve e familjeve të tyre, që nuk kanë një varr ku ti vendosin lulet në përkujtim.
Ua kemi borxh fëmijëve të të burgosurve politik të cilët u dasht ta kenë durimin për të pritur rikthimin e prindërve tyre.
E në fund, ja kemi borxh njerëzve të mirë të Kosovës, popullit Shqiptar. Këti populli që u mblodh në shesh e ju dolën lotët në sy kur dëgjuan për padrejtësinë që ndodhi në Hagë. Këti populli që në çdo protestë dolën e thirrën për drejtësi. Këti populli që respektuan paqen e dëshmuan njerëzillëkun dhe civilizimin. Këti populli që ka duruar shumë, e ka përbirë shumë veç për të arritur lirinë e mirëqenjen.