Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, PSRK kërkon paraburgim
Një person me inicialet R.K. është arrestuar në Zubin Potok nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.

Një person është arrestuar në kuadër të hetimeve për krime lufte në Zubin Potok, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, i dyshuari me inicialet R.K. është arrestuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës nën dyshimin për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale pritet t’i parashtrojë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Hetimet do të vazhdojnë në koordinim ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe hetuesve policorë. Institucionet theksuan angazhimin për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që dyshohet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.
R.K. konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.